Platforma edukativo-arsimore interkulturore

Eduresurs

Doracak per realizues të MNAI

Numri i faqeve: 90

Formati: pdf

Madhësia: 12.48 MB

Shkarko Shkarko Shkarko

Hyrje në publikimin

Të nderuar mësimdhënës, praktikues dhe njohës të sferës së edukimit dhe arsimimit,

aktivitetet e integruara jashtëmësimore të cilat realizohen sipas Modelit Nansen për arsim të integruar, janë të konceptuara si përmbajtje të larmishme dhe të begatshme, të integruara ngushtë me përmbajtjet e karakterit formal dhe të obligueshëm. Veçoria e tyre del nga qasja dygjuhësore, e pranishme për çdo ditë gjatë realizimit të tyre me nxënës të bashkësive të ndryshme etnike. Përskaj komponentit dygjuhësor, aktivitetet jashtëmësimore karakterizohen edhe me lojë të theksuar, si dhe me qasje të individualizuar në pajtim me aftësitë, njohuritë paraprake dhe talentet e nxënësve. Në vazhdimësi kultivohet klima pozitive socio – emocionale në grup me përbërje etnike heterogjene, si dhe bashkëpunimi konstruktiv ekipor dhe në çifte në mes të gjithë nxënësve. Aktivitetet jashtëmësimore dygjuhësore, sipas Modelit Nansen për arsim të integruar synojnë të bartin karakteristikën e përmbajtjeve nxitëse, motivuese dhe frymëzuese, të konceptuara dhe organizuara në sekcione të ndryshme, për tërë arsimin fillor dhe të mesëm.

Në vitin shkollor 2015/2016 u realizua një numër i madh i përmbajtjeve jashtëmësimore të ndryshme, origjinale dhe të begatshme për nga ana didaktike, të bazuara në Programet vjetore të aktiviteteve jashtëmësimore të QDN Shkup. Konsiderojmë se të njëjtat janë shembuj të shkëlqyeshëm të praktikave të mira dhe përvojave të dobishme të cilat janë të mirëseardhura për përfaqësuesit e kuadrit edukativo – arsimor në R. e M.

Tandemët e mësimdhënësve: Radica Acevska dhe Mirsada Idrizi (nga SHFK Liria, Tetovë), si dhe Nagihan Snopçe dhe Gabriella Merxhanoska (nga SHFK Goce Dellçev, Gostivar), e bënë përzgjedhjen e njëzet modeleve të aktiviteteve jashtëmësimore, të realizuara në mënyrë të suksesshme me grupet e tyre të nxënësve.

Tandemi i mësimdhënësve nga SHFK Liria, Tetovë përmes sekcionit Hulumtuesit e vegjël, i krijuar për nxënësit e klasës së tretë, me aktivitete të ndryshme në mënyrë të vazhdueshme dhe me dedikim nxisnin kureshtjen tek nxënësit për të studiuar dukuritë e ndryshme natyrore dhe proceset në mjedisin e afërt. Nxënësit kishin mundësi të pasurojnë dhe zgjerojnë njohuritë e tyre si për botën e gjallë ashtu edhe për atë jo të gjallë.

Sekcioni Arsimim për paqe dhe tolerancë, i realizuar me nxënësit e klasës së katërt, nga ana e tandemit të mësimdhënësve nga SHFK Goce Dellçev, Gostivar mundësoi zgjerimin e njohurive paraprake për shtetet në mjedisin tonë të afërt, si dhe për shtetet anëtare të Unionit Evropian. Në kuadër të këtij sekcioni është promovuar edhe pasuria kulturore dhe historike si dhe veçoritë e R. së Maqedonisë si atdhe. Gjithashtu është theksuar edhe promovimi i të drejtave të fëmijëve si pjesë e të drejtave të njeriut, si dhe tejkalimi i paragjykimeve dhe stereotipave potenciale të pranishme tek nxënësit.

Sinqerisht shpresojmë se shembujt e zgjedhur të planifikimeve, do të jenë një burim i dobishëm didaktik, i cili do të nxisë dhe iniciojë qasje të reja dhe origjinale në procesin e krijimit, organizimit dhe zbatimit të aktiviteteve të integruara me karakter jashtëmësimor në të ardhmen.

Vërejtje: Fotografitë të cilat janë përdorur për nevojat e këtij doracaku, janë rezultat i model aktiviteteve jastëmësimore të realizuara.